Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka pritur në takim emisarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin.
Temë kryesore e këtij takimi ishte situata e sigurisë në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ku u vra rreshteri i policisë Afrim Bunjaku.
Kurti tha se sulmi ishte organizuar edhe mbështetur nga Beogradi zyrtar.
“Dëshmitë e mbledhura përgjatë hetimeve të realizuara pas sulmit kriminal dhe terrorist, faktojnë e dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore të Serbisë në këtë akt agresioni ndaj Republikës së Kosovës, për të cilin Serbia duhet të sanksionohet e ndëshkohet ndërkombëtarisht”, tha Kurti.
“Pas dështimit të sulmit të armatosur me formacionet para-ushtarake të udhëhequra nga Milan Radoiçiq, marshimi dhe vendosja e trupave ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën ishte hapi i radhës i institucioneve të Serbisë për të kërcënuar integritetin territorial të vendit tonë dhe mbështetur një agresion të mundshëm ushtarak kundër Republikës së Kosovës”, theksoi ai.
“Në anën tjetër, Policia e Kosovës, përmes ushtrimit të kompetencave të saj kushtetuese e ligjore, mbetet e angazhuar dhe e përkushtuar në garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët në komunat në veri të vendit dhe bashkëpunimin me partnerët e aleatët tanë ndërkombëtarë”, shtoi shefi i qeverisë kosovare.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka falënderuar emisarin Manuel Sarrazin, për vizitën dhe angazhimin e tij intensiv.