DASH: Të gjithë të përfshirët në sulmin në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë

DASH: Të gjithë të përfshirët në sulmin në Banjskë duhet të dalin para drejtësisë

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar, Kosova ka marrë mbështetje nga aleatët për zbardhjen në tërsi të kësaj ngjarje.

Nga Departamenti i Shtetit sërish janë deklaruar për sulmin terrorist. Në një konferencë për media, zëdhënësi i DASH, Vendet Patel, ka thënë se të gjithë akterët e përfshirë në sulm duhet të sillen para drejtësisë.

Kështu ka deklaruar të martën zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel pasi është pyetur nga gazetarët lidhur me arrestimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiqi i cili kishte pranuar se ka qenë i përfshirë në sulmin në Banjskë.

“Ne kemi parë ato raporte, dhe nuk do të shkojmë para hetimeve. Ne e dimë se sulmet ishin mirë të koordinuara dhe të planifikuar, dhe të gjithë që ishin të përfshirë në planifikim dhe ekzekutim të këtij sulmi duhet të sillen para drejtësisë”, tha Patel.

Milan Radoiçiq të mërkurën është liruar nga autoritetet serbe. Atij është thënë se i është ndaluar shkuarja në Kosovë.

Zëdhënësi i DASH-it më tej shtoi se “jemi thellësisht të shqetësuar për rritjen e tensioneve dhe dhunës së vazhdueshme në veri të Kosovës”.

Duke komentuar vendosjen e ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën, Patel theksoi se kanë vërejtur disa tërheqje të forcave dhe pajisjeve ushtarake.

“Ne i kemi bërë thirrje Serbisë që të tërheqë forcat  nga kufiri dhe të ulë tensionet gjithashtu. Ne kemi vërejtur disa tërheqje të forcave dhe pajisjeve përgjatë kufirit të Kosovës që nga 29 shtatori dhe presim që Serbia të vazhdojë hapat de-përshkallëzues, duke përfshirë tërheqjen e vazhdueshme të forcave deri në ose nën normat historike”, tha Patel.

Related Articles