Gazeta prestigjioze britanike “Financial Times”, përkatësisht gazetari Marton Dunai, ka dalë me një sqarim, duke treguar se e kanë korrigjuar intervistën me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, në pjesën kur ka folur për Kosovën dhe tensionet në veri.
Gazeta britanike FT tashmë ka vënë sqarimin tek teksti kur Rama flet për “tokën e askujt”, duke sqaruar se e ka pasur fjalën për pjesën veriore të Republikës së Kosovës dhe jo për Kosovën.
“Ne e kemi ndryshuar këtë artikull për të sqaruar se kryeministri shqiptar Edi Rama po diskutonte problemet në veri të Kosovës, jo në të gjithë vendin”, ka shkruar gazetari i FT.
Rama për FT ka deklaruar se veriu i Kosovës është shndërruar në tokën e askujt ku të gjitha krimet kombinohen me nacionalizimin në rritje.
“Kosova është një pikë e nxehtë”, tha Rama. Me kalimin e viteve “[Veriu i Kosovës] është bërë një tokë e askujt ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”, u shprej ai për Financial Times.