Rreth 50 liderë evropianë pritet të takohen në Granadë të Spanjës të enjten, në kuadër të një mbledhjeje të zgjeruar të quajtur Komuniteti Politik Evropian, me fokus në përmirësim të bashkëpunimit, pavarësisht përkeqësimit të konflikteve dhe tensioneve në kontinent.
Deputeti austriak, njëherësh zëdhënës i politikës së jashtme i partisë OVP në Parlamentin Evropian, thotë se ky samit do të jetë një mundësi e mirë për zgjidhjen e konfliktit mes Kosovës dhe Serbisë.
“Presioni, i cili shpesh mund të gjurmohet në Rusinë e Putinit, po rritet në Evropë. Kjo kohët e fundit është bërë e qartë mes Armenisë dhe Azerbajxhanit dhe gjithashtu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kjo është ajo ku EPC ofron një mundësi për të gjetur zgjidhje. Është mirë që e gjithë Evropa është mbledhur rreth një tavoline, ose më mirë thuajse e gjithë Evropa. Sepse lëvizja për liri e Bjellorusisë nuk është ende e ftuar”, tha Mandl në një deklaratë me shkrim për media.
Tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në mes të Armenisë dhe Azerbajxhanit – të gjitha pjesë e Komunitetit Politik Evropian – pritet të jenë në qendër të diskutimeve të 5 tetorit.