Seanca e parë e Kuvendit të Kosovës për ditën e enjte, e ka në pikë të rendit të ditës shqyrtimin e propozim-amandamentit kushtetues numër 27, që ka të bëjë me përfshirjen e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në nenin 22 të Kushtetutës.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues.
Ai iu bëri thirrje deputetëve që ta votojnë këtë ndryshim kushtetues.
“Vitin 2022 e patëm shpallur si vitin e personave me aftësi të kufizuara. Respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të garantuara me Kushtetutë dhe instrumente ndërkombëtare për të drejtat e njeriut zbatohen ndaj të gjithëve pa dallim. Neni 22 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës liston instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që aplikohen drejtpërdrejt në sistemin tonë juridik dhe kanë supremaci mbi legjislacionin vendor”, tha Vitia.
“Të dashur deputetë sot po propozohet përfshirja e konventës së Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në listën e instrumenteve ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë si amandament kushtetues. Pra, një e drejtë që është ndërkombëtarisht e njohur, të normohet edhe me Kushtetutën e Kosovës duke bërë amandamentimin e saj”, tha ai.
“Sistemi kushtetues i Kosovës i ka vënë vetës për detyrë parësore që t’u përmbahet detyrimeve të tij sipas të drejtës ndërkombëtare duke u dhënë prioritet traktatave ndërkombëtare rajonale dhe konventave të të drejtave të njeriut të zbatuara në të drejtën vendore, në nenin 22 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Konventa e OKB’së për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara fuqizon pasqyrën kushtetuese dhe ligjore për sa i përket mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në të gjitha fushat. Andaj, marrë parasysh sa i rëndësishëm është ky amandamentim, ju lutem dhe ju ftoj ta votoni këtë ndryshim kushtetues”, theksoi Vitia.