Në mbledhjen 165-të të Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti, ka bërë të ditur se institucionet e sigurisë dhe të inteligjencës kanë vërejtur rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovës.
Sipas tij, qëllimi kryesor i tyre është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës.
“Jemi 18 ditë pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Shumëçka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse ai plan nuk do të neutralizohej”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Dokumentimi para syve të botës i përfshirjes së shtetit serb, në frymëzimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Bansjkë, janë motiv shtesë për skenar tjerë destabilizues”, ka shtuar ai.
Sipas tij, lirimi i menjëhershëm i kriminelit Milan Radoiçiq nga ana e Serbisë, është dëshmi dhe sinjal për rigrupim dhe hakmarrje sepse më 24 shtator, Beogradi zyrtar dështoi.
“Institucionet tona të sigurisë kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimeve të sulmeve të dhunshme nga grupe të strukturave kriminale të Serbisë në Kosovë”, ka thënë shefi i qeverisë së Kosovës.
“Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për të arritur këtë, ata nuk do të zgjedhin mjet”, ka potencuar kryeministri Albin Kurti.