Më 14 tetor të vitit 2014 ndodhi ajo që do të merrte një vëmendje të gjerë mediatike.
Në orën 21:27 u ndërpre ndeshja Serbi-Shqipëri që luhej në kuadër të kualifikimeve për kampionatin Evropian France 2016.
Ndërprerja ishte paralajmëruar thuajse që para fillimit: u ndalua pjesëmarrja e tifozëve të Kombëtares shqiptare në Beograd, ndërsa tifozët serbë në stadium me fishkëllima e britma penguan intonimin normal të Himnit Kombëtar Shqiptar.
Në këto kushte, të rënduara dhe të vështira për ekipin shqiptar, filloi ndeshja.
Arbitri britanik Martin Atkinson nuk e kishte të lehtë të ndante drejtësinë që, sidomos nga lojtarët, tifozët, por edhe zyrtarë serbë gjendeshin aty, konsiderohej betejë lufte.
E tensionuar, me epërsi të dukshme shqiptare, ndeshja vazhdoi kështu deri në minutën 42′.
Dhe në atë minutë, nga qielli i Beogradit, sipër tifozëve, më ngadalë e duke valëvitur nga një dron, në fushën e lojës, afrohej flamuri me hartën e viseve etnike shqiptare, me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit dhe me mbishkrimin “AUTOCHTHONOUS”.
Të gjithë mbeten të habitur e të heshtur duke shikuar çudinë që zbriste nga lartësia.
Pastaj një futbollist serb e mori në hapësirë, pa rënë në tokë, flamurin me simbole shqiptare e lojtarët e kombëtares vrapuan menjëherë pas tij duke ia rrëmbyer nga duart.
Pas kësaj, topi u “harrua” dhe filloi beteja fizike ndërmjet lojtarëve të dy ekipeve.
Nga tribunat e shikuesve zbriten spektatorët serbë të cilët mësyn lojtarët shqiptarë.
Një konfrontim fizik i pabarabartë të cilin lojtarët e kombëtares e braktisen duke kërkuar shpëtim në zhveshtoren e vet.
Pjesëtarët e sigurimit, në vend se të mbronin lojtarët shqiptarë, u bënë bashkë me spektatorët e lojtarët serbë duke i goditur me grushte e karrige derisa ata sa u futen në kthinën e vet të stadiumit.
Në kushte të tilla nuk kishte si të vazhdohej loja.
Lojtarët shqiptarë, pasi e morën veten, e dorëzuan flamurin e rënë fushë te zyrtarët e UEFA-s dhe rreth orës 3 të mëngjesit u kthyen në Tiranë.
Pas ankesës së Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, më 10 korrik të këtij viti, tre pikët e ndeshjes kaluan në anën e Shqipërisë.