Momente vërtetë drithëruese ka përjetuar ekipi i A2 CNN në Izrael, i cili ishte duke raportuar nga qyteti i Ashkelonit, shumë pranë Rripit të Gazës.
Teksa gazetari Julian Kasapi ishte lidhur me studion e A2 CNN, një breshëri e madhe raketash është hedhur nga Rripi i Gazës në drejtim të qytetit izraelit.
Menjëherë, është aktivizuar dhe sistemi mbrojtës anti-raketë “Iron Dome” dhe shpërthime kanë mbushur qiellin e natës, duke detyruar gazetarin Kasapi dhe kameramanin që e shoqëron Erald Veshi të ulen për t’u mbrojtur.
Një nga raketat e Hamasit, i shpëtoi mbrojtjes izraelite dhe ra në pallatin ngjitur me godinën nga ku raportonte ekipi i A2 CNN.
Menjëherë në zonë u ndërprenë dritat, teksa aroma e luftës hyri drejtpërdrejt në familjen e çdo qytetari, jo vetëm izraelit e palestinez, por edhe shqiptar këtë herë.
Ashkeloni është një nga qytetet izraelite shumë pranë Rripit të Gazës, ku raketat e Hamasit në ditët e fundit kanë qenë të pafundme.