Në Tiranë, sot mbahet samiti i Procesit të Berlinit në të cilin, përveç prezantimit të një pakoje të re të investimeve nga Bashkimi Evropian, pritet të diskutohet edhe për sulmin në veri të Kosovës më 24 shtator.
“Plani i ri i rritjes” është një paketë e gjerë investimesh e Bashkimit Evropian, që pritet të shpaloset gjatë punimeve të samitit në Tiranë të Shqipërisë.
“Ky plan ka potencial nëse vihet në zbatim siç duhet, ka mundësinë të dyfishojë madhësinë e ekonomisë tuaj brenda këtij 10-vjeçari. Parimi është që në disa fusha të caktuara ju do të keni qasje në tregun e përbashkët të BE-së, por për këtë janë të nevojshme reformat dhe reformat do të shoqërohen me investime. Kështu hapet dera për tregun tonë, për tregun e përbashkët rajonal të Ballkanit Perëndimor. Natyrisht kjo do të shoqërohet me investime financiare por natyrisht reformat do të jenë të domosdoshme”, deklaroi më 15 tetor presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kjo është hera e parë që një takim i procesit të Berlinit organizohet jashtë kufijve të BE-së. Përveç zyrtarëve të bllokut evropianë dhe të Ballkanit Perëndimor, në samit marrin pjesë edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.