Shtetet e Bashkimit Evropian janë pajtuar të premten që të lehtësojnë kufizimet për udhëtime gjatë verës, ku do të lejohen turistët e vaksinuar plotësisht që të mos u nënshtrohen testeve për koronavirus apo karantinave në rajonin e BE-së.
Ambasadorët nga 27 shtetet anëtare të bllokut evropian kanë miratuar një propozim të modifikuar të Komisionit Evropian, ku thuhet se njerëzit që janë të vaksinuar plotësisht, mund të udhëtojnë lirshëm në shtetet e BE-së, 14 ditë pasi janë imunizuar kundër sëmundjes Covid-19.
Ndërkaq, kufizimet për udhëtarët e tjerë duhet të bazohen në situatën epidemiologjike të shtetit prej nga ata vijnë.
Deri më tani, mbi një çerek i të rriturve në BE janë të vaksinuar plotësisht.
Këto udhëzime të reja të BE-së vijnë në kohën kur blloku evropian prezantoi edhe certifikatat për Covid-19, të cilat do të dëshmojnë nëse një person është vaksinuar ose nëse ka imunitet ndaj sëmundjes apo nëse ka dalë negativ për COVID-19. Certifikatat do të jenë të gatshme më 1 korrik edhe pse disa shtete do t’i lansojnë pak më vonë ato.
Shtetet e BE-së po ashtu mund të vendosin vetë nëse nuk do të lejojnë udhëtarët që vijnë nga zonat që kanë shënuar numër të lartë të rasteve me koronavirus apo kanë raste me variantet e reja të Covid-19, të cilat janë më ngjitëse.
Po ashtu, edhe turistët jashtë shteteve të BE-së, mund të hyjnë në bllok, për aq kohë sa dëshmojnë se janë të vaksinuar./Gazeta Enigma/