Kurti i kërkon KFOR-it forca shtesë në kufirin me Serbinë

Kurti i kërkon KFOR-it forca shtesë në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka pritur në takim komandantin e ri të KFOR-it Ozkan Ultutas.

Temë kryesore e takimit ishte situata e sigurisë në vend.

Kurti tha se mirëpret shtimin e numrit të trupave të forcave paqëruajtësve të NATO-s në Kosovë.

Ai theksoi se prezanca e shtuar e KFOR-it duhet të koncentrohet në kufirin me Serbinë.

“Prej nga edhe ka hyrë armatimi i Serbisë dhe nga vjen kërcënimi për Kosovën. Ruajtja e kufirit nënkupton po ashtu mbylljen e rrugëve ilegale, prandaj edhe është i domosdoshëm bashkëpunimi më i madh me Policinë e Kosovës”, tha Kurti.

Po ashtu u diskutua rreth sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra polici Afrim Bunjaku dhe u plagos polici Alban Rashiti.

“Sasia e madhe e armatimit dhe municionit ushtarak të konfiskuar është prodhuar në Serbi. Edhe ushtrimet luftarake të paramilitarëve që kryen terror e vrasje në Banjskë të Zveçanit janë kryer në Serbi. Atje Kosova nuk ka jurisdiksion prandaj nevojitet edhe një hetim ndërkombëtar në Serbi mbi përgatitjet, furnizimin dhe orkestrimin e këtij sulmi”, theksoi Kurti.

Related Articles