Reuten: Marrëveshja për vizat nuk lidhet me dialogun, duhet të hyjë në fuqi në janar

Reuten: Marrëveshja për vizat nuk lidhet me dialogun, duhet të hyjë në fuqi në janar

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, ka shpalosur detaje lidhur me përmbajtjen e rezolutës për të cilën këtë të enjte do të votohet pro ose kundër në Parlamentin Evropian.

E njëjta sipas Reuten është titulluar “Normalizimi Kosovë-Serbi”.

Ai thotë se paragrafi i 26-të i rezolutës ka të bëjë me çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Eurodeputeti holandez thekson se marrëveshja për vizat nuk është dhe s’do të lidhet me procesin e dialogut dhe se e njëjta duhet të hyjë në fuqi më një janar të vitit 2024.

“Paragrafi i rezolutës ‘Normalizimi Serbi-Kosovë’, që do të votohet nga PE: 26. Rikujton se marrëveshja për liberalizimin e vizave për Kosovën nuk është dhe nuk duhet të lidhet me dialogun dhe duhet të hyjë në fuqi më së voni më 1 janar”, shkruan Reuten.

Kjo rezolutë është iniciuar nga grupi politik i socialdemokratëve në PE, pasi situatën në Kosovë e vlerësojnë si “jashtëzakonisht shqetësuese”.

Rezoluta e cila ka 29 pika, dënon ashpër “sulmin terrorist” ndaj Policisë së Kosovës nga “banda e armatosur serbe në mes të operacionit më të madh të kontrabandës së armëve” në Banjskë në veri të Kosovës, i cili ndodhi më 24 shtator e që rezultoi me vrasjen e rreshterit të policisë Afrim Bunjaku dhe plagosjen e dy policëve tjerë.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, të mërkurën në një intervistë për RTK-në, ka folur për rezolutën dhe ka thënë se mocioni i saj do të votohet në seancën e sotme ku kërkohet sanksionimi i Serbisë, si dhe ekstradimi i Radoiçiqit.

“Ne kemi pasur një diskutim të gjatë konstruktiv, në Parlamentin Evropian, ku pesë grupe kanë dalë me rezoluta dhe negociuam së bashku sa i përket tekstit të përbashkët për rezolutë, ku kemi dalë me një tekst të fortë e të japim jehonë ndaj Serbisë”, derisa sqaroi se mocioni për rezolutë do të votohet të enjten, rreth orës 13:30”, ka thënë Von Cramon.

Related Articles