Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e artistit Luan Mulliqi.
Ai, me anë të një telegrami të ngushëllimeve, ka thënë se Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës.
“Me pikëllim pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të skulptorit të shquar, Luan Mulliqi dhe ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Mulliqi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike të Kosovës për çka do të jemi gjithmonë mirënjohës. Angazhimi i tij në zhvillimin e artit pamor dhe monumental në vend ka qenë thelbësor”.
“Kontributi i Mulliqit si drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës, autor i dy monografive për artin pamor në Kosovë, ligjërues në Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tetovës si dhe angazhimi në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, do të mbetet i çmuar në artin dhe kulturën e Kosovës duke frymëzuar brezat e ardhshëm”.
“Karriera e bujshme e tij që ngërthen shumë simpoziume të skulpturës me karakter ndërkombëtar, një sërë shkrimesh për skulpturë, për artet figurative dhe zhvillimet kulturore në Kosovë, ekspozita personale e kolektive nëpër shumë vende të botës, do të vlerësohet gjatë”, ka thuhet në telegram.