Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit.
Kurti thotë se në krye të klanit ndodhet ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq.
Në reagimin e bërë në Facebook, Kurti ka dhënë edhe disa detaje lidhur me Klanin e Novi Sadit.
“Sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit. Në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ai është kryetari i partisë-shtet SNS, tri herë i zgjedhur kryebashkiak i Novi Sadit me ndihmën e Zvonko Veselinoviqit, dhe miku më i afërt i vëllaut të Presidentit të Serbisë, Andrej Vuçiq. Rreth 40 pelegrinë ortodoksë në Manastir të Banjskës me 24 shtator ishin nga Novi Sadi. Ndoshta e rastësishme, hetimet duhet ta tregojnë. Grupi terrorist në arrati i udhëhequr nga Millan Radoiçiq po qëndron në Rashkë. Atyre MUP-i famëkeq serb iu ka ndarë vetura të tipit Shkoda Oktavia me ngjyrë të bardhë dhe të zezë e me tabela regjistrimi BG dhe… NS”, ka deklaruar kryeministri.
Tutje, ai ka theksuar se “para dy dekadave në Serbi sundonte Klani i Zemunit, kurse tash vendin atij ia ka zënë Klani i Novi Sadit. Kriminelë në luftë, kriminelë në paqe; kriminelë në Serbi, kriminelë në Kosovë. Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin”.
Kryeministri ka kërkuar që BE dhe SHBA të formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit.
“Në katër komunat veriore të Kosovës po merr fund terrori, kriminaliteti dhe kultura e dhunës e paramilitarëve të Delije (tifozët e Cërvena Zvezdës) që shprehet me nofkat e ekstremistëve si: Mami, Llune, Daco, Rusi, Nemac, Gile, Drago, Aco, Comi, Belli, Micko, Prki, Mrki etj.
Mirëpo, Kosova nuk ka jurisdiksion në Serbi. A nuk do të duhej që BE-ja dhe ShBA-të ta formojnë një Gjykatë Speciale për Klanin e Novi Sadit? Mafia ballkanike do të përjetonte goditje fatale, ndërkaq rajoni i Ballkanit do të hapej i tëri për demokraci evropiane, drejtësi ligjore, paqe të qëndrueshme dhe zhvillim të përshpejtuar”, ka pohuar kryeministri.
Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terroristësh më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku u vra polici Afrimi Bunjaku.
Pas sulmit ndaj Policisë, rreth 30 serbë, të armatosur rëndë dhe të maskuar u fshehën në manastirin në Banjskë për disa orë, atyre iu kërkua nga Policia e Kosovës që të dorëzoheshin, por ata refuzuan të bëjnë një veprim të tillë ku edhe vazhduan sulmet me armë ndaj policisë, nga gjuajtjet me armë mbetën të vrarë tre sulmues.