Në Kosovë, numri i rasteve aktive të infektuar me koronavirus ka rënë nën 1000, respektivisht 627, përderisa para një jave vendi kishte 1.511 të infektuar aktiv, raporton Gazeta “Enigma’.
Përbrenda kësaj jave, bazuar në përmbledhjen e komunikatave të përditshme të IKSHPK’së lidhur me rastet, janë shëruar 968 persona nga virusi korona, derisa përbrenda kësaj periudhe janë infektuar vetëm 95 qytetarë.
Ndërkaq, shtatë persona kanë vdekur si pasojë e komplikimeve të shkaktuara nga Covid-19 përbrenda më se shtatë ditësh.
Përgjatë 24-orëve të fundit, janë shënuar 10 raste të reja me virusin korona, derisa 116 janë imunizuar nga ky virus.
Ministria e Shëndetësisë, po ashtu, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit, 2 mijë e 674 qytetarë janë vaksinuar kundër Covid-19. Ndërsa nga fillimi i procesit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 92 mijë e 890 doza të vaksinës.
“Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 92.890 doza të vaksinës”, thuhet më tutje në njoftim.
Tani qytetarët kanë filluar që ta marrin edhe dozën e dytë të vaksinës, teksa me prioritet janë qytetarët e të gjitha moshave që kanë sëmundje kronike.
Aktualisht procesi i vaksinimit është duke u zhvilluar në qendrën “1 Tetori”, në Prishtinë si dhe në QKMF-të e komunave të vendit./Gazeta Enigma/