Deputetja e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Jorida Tabaku tha se sulmi terrorist i kryer nga serbët në Banjskë duhet të përdoret nga pala kosovare në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së.
Tabaku thotë për Kosovapress se tash duhet shfrytëzuar momentumin për të bindur ndërkombëtaret për atë që ka ndodhur dhe se pas gjithë kësaj qëndron Serbia.
“Për të gjithë Shqipërinë nuk flas dot, por qëndrimin e opozitës dhe atë qëndrim që unë kam mbajtur këtu, njëkohësisht edhe në Strasburg, sigurisht që mund ta them. Nuk ka më sot besoj ndërkombëtar, por edhe shqiptar që nuk e ka kuptuar që përgjegjësit kanë qenë shumë të qartë. Përgjegjësit e kanë pranuar që janë përfaqësues të Serbisë, është vërtetuar tashmë, që armët kanë ardhur nga Serbia. Pra, ka pasur prova, ka pasur fakte, ka pasur argumente, të cilët janë paraqitur. Sigurisht se Shqipëria është në krah të Kosovës në këtë rast”.
“Por, unë besoj që ne duhet të kalojmë përtej kësaj, ne duhet që në këtë moment të përpiqemi që të bindim të gjithë ndërkombëtaret për atë që ka ndodhur. Unë e di që ky është një akt dhe për shumë akte të tilla kanë ndodhur në Kosovë. Por, ne duhet patjetër që çdo akt të tillë terrorist, ta përdorim në të mirë të dialogut. Ta përdorim në të mirë të procesit të Kosovës, ta përdorim në të mirë të njohjes sepse ky është qëllimi fundor dhe nuk ka absolutisht asnjë objektiv tjetër që duhet të ketë Parlamenti i Shqipërisë, në mbështetje të Kosovës, Qeverisë, Parlamentit dhe politikës së Kosovës më të madhe sesa kjo”, thotë Tabaku.
Parlamenti Evropian miratoi së fundi një rezolutë ku dënon ashpër sulmin terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës, dhe kërkon përballje pa vonesë e autorëve të sulmit me drejtësinë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku. Por, kjo sipas deputetes Tabaku nuk mjafton, pasi që ndaj Serbisë duhet vendosur edhe sanksionet për cenim të territorit të Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur.
“Për mua po, unë e kam prezantuar dhe rezolutën që prezantuam në Strasburg, që së pari qeveria shqiptare duhet të kërkonte me zë të lartë heqjen e të gjitha masave të padrejta për Kosovën, jo proporcionale për Kosovën. Dhe duhet patjetër që një akt të tillë terrorist për vrasjen e një polici dhe dy të tjerë të plagosur, me cenimin e territorit dhe me çdo gjë që ka ndodhur nga 24 shtatori e këtej, rritjen e retorikës, gjuhës kundër, duhet patjetër që të kishte edhe një paketë masash edhe ndaj Serbisë”.
“Përndryshe, ne do të vazhdojmë të përsërisim gabimet e të shkuarës, do të vazhdojmë të sillemi po njësoj, dhe do të vazhdojmë të mos mësojmë nga çdo gjë që ndodhë. Sepse 24 shtatori e vërtetë që ishte tragjik, sepse përfundoi edhe me një jetë të humbur. Por, ju që jetoni atje përditë e dini edhe vështirësinë e një bashkëjetese që nuk ka qenë e thjeshtë”, thotë Tabaku.