Qeveria e Kosovës e miratoi projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e vitit të ardhshëm.
Kryeministri Albin Kurti tha në fillim të mbledhjes se Qeveria e tij është ballafaquar me sfida globale të papara më herët, ndërsa foli për sukseset e mëdha, sipas tij, gjatë këtij mandati.
“Që prej marrjes së mandatit në mars të vitit 2021 e deri më tani jemi ballafaquar me më shumë sfida globale se cilado qeveri tjetërt që nga paslufta”, tha ai.
Kurti përmendi pandeminë e Covid-19, inflacionin e çmimet e larta të energjisë elektrike vitin e kaluar, që siç tha ai, “nuk ishin parë asnjëherë më parë”. Një krizë e tillë “mund të ndodhë një herë në 50 vite”, tha ai.
“Megjithëkëtë ia dolëm shumë më mirë sesa të tjerët na prognozonin”, tha Kurti.
Ai tregoi se buxheti për vitin 2024 “do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro”
“Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të kalojë 216 milionë euro dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jenë mbi 153 milionë euro, 22% më shumë sesa këtë vit”, tha Kurti.
“Edhe arsimi do ta ketë mbështetjen e nevojshme…. mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro”, tha ai, ndërsa tregoi edhe buxhetin e rritur edhe për ministritë tjera.