Zyra e Prokurorit të Specializuar tash e tri ditë është duke zhvilluar bastisje në Kosovë.
Cak i këtyre bastisjeve këto ditë kanë qenë ish-këshilltarët e ish-presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala, Bashkim Smakaj, Artan Behrami dhe Ismail Syla.
E ish-këshilltari i Thaçit, Artan Behrami banesa e të cilit u bastis dje nga ZPS-ja, ka treguar se gjatë kësaj bastisje iu konfiskuan edhe dy iPad-at e fëmijëve të tij.
Ai ka publikuar një e-mail të cilin ia ka drejtuar Gjykatës Speciale derisa i ka pyetur se kur do t’ua kthejë iPad-at fëmijëve të tij.
“Të nderuar, dje gjatë një aksioni të paprecedent për bastisje në banesën time, janë konfiskuar dy iPad-at e fëmijëve të mi, Teos (9) dhe Reit (7).
Sot në mëngjes, Teo dhe Rei i kërkuan iPad-at e tyre, sepse iu duheshin për praktikat ditore në shkollë. Përmes këtij e-maili ju pyes: kur do t’ua ktheni iPad-at fëmijëve të mi”, shkruan në e-mailin që Behrami i ka drejtuar Gjykatës Speciale.
Ndryshe kujtojmë se sot ZPS-ja ka bastisur shtëpinë e ish-këshilltarit të Thaçit, Ismail Syla.