Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pas protestës së pjesëtarëve të Njësitit Special Intervenues, (NjSI) të cilët u mblodhën sot para ndërtesës së qeverisë.
Teksa ka folur për kërkesat e tyre, Sveçla ka thënë se Kosova është vend i varfër dhe me buxhetin më të vogël në Evropë por se ky vend është e themeluar mbi sakrificën e luftës për liri, me akte heroike dhe humbje në njerëz.
“Mbrojtësit e Republikës sot janë njerëzit më të vlerësuar prej popullit të Kosovës. Kërkesat janë të shumta dhe ka kategori shoqërore të cilat kanë shumë vështirësi përgjatë jetesës së tyre. Si Ministri e Punëve të Brendshme, nga 9 agjenci ekzekutive, Policia e Kosovës ka pasur mbështetje dhe fokus të veçantë me qëllim të mobilizimit në luftimin e krimit, kontrabandës, mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit. Nga vetë Policia e Kosovës, Njësitë Speciale kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë mbështetjen më të madhe si në aspektin financiar ashtu edhe me ngritjen në strukturë”, ka thënë Sveçla.