Grabitet një grua në Gjilan, hajni i maskua ia merr çantën me para e gjësende personale

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Viktimë e grabitjes ka qenë mbrëmë një grua në Gjilan, e cila është përballur me një person ende të paidentifikuar, i cili ia ka marrë me forcë çantën e saj të krahut.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në rrugën ‘Haqif Tetova”, ku i dyshuari ia ka zënë pritën viktimës, e cila nuk arriti ta ndalojë të dyshuarin që ia mori çantën dhe u zhduk.

Viktima e ka denoncuar rastin dhe ka dhënë dëshminë e saj para hetuesve policorë, ku ka deklaruar se në çantë kishte gjësende personale dhe para të gatshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të identifikohet i dyshuari.

Related Articles