Kombëtrja e Kosovës në futboll është pa gjasa për kualifikim në “Euro 2024”. Por te Kosova presin t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për ndeshjet e këtij muaji. Përzgjedhësi i Kosovës, Primozh Gliha do t’u dërgojë të gjithë lojtarëve ftesë për ndeshjet e këtij muaji, ndonëse shumë prej tyre më 12 nëntor, kur edhe është caktuar të luhet ndeshja Kosovë – Izrael, kanë ndeshje me klubet e ndryshme evropiane. Por në Përfaqësuesen e Kosovës thirren në vendimin e FIFA-s që obligon klubet të lirojnë lojtarët. Pra, lojtarët e Kosovës duhet të lirohen nga klubet e tyre të premten, më 10 nëntor. Ndërkohë, grumbullimi i rregullt i lojtarëve me përfaqësuese fillon më 13 nëntor.
“Sigurisht, rregulli i UEFA-s”, ka thënë shkurt Gliha për Kohën.
Ai nuk ka dashur të flas më shumë. Ka thënë se respekton rregulloren e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), që sipas tij, ia ndalon të flasë për media pa leje prej Federatës. Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit, do të zhvillohet më 12 nëntor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Vendimin që ndeshja e shtyrë të zhvillohet më 12 nëntor e mori FIFA muajin e kaluar, ndërsa u konfirmua edhe nga UEFA, organizatore e kualifikimeve për “Euro 2024”. Ndeshja mes Kosovës dhe Izraelit është dashur të zhvillohej më 15 tetor, por është shtyrë për shkak të situatës në Lindjen e Mesme. Data 12 nëntor nuk është termin i rezervuar për ndeshje të përfaqësueseve. 12 nëntori është ditë e diel dhe ligat evropiane pritet të zhvillohen normalisht. Rrjedhimisht shumë lojtarë të Kosovës do të kenë ndeshje me skuadrat e tyre atë fundjavë, disa prej tyre shumë të rëndësishme. Për shembull më 12 nëntor Mallorca e Vedat Muriqit luan ndeshje me Cadizin. Për Mallorcan secila pikë është shumë e rëndësishme, ndërsa Muriqi është lojtari më i rëndësishëm. Më 12 nëntor luan edhe Napoli, ku Amir Rrahmani është mbrojtës shumë i rëndësishëm. Mbetet të shihet nëse Rrahmani do të pajtohet që ta lëshojë atë ndeshje për t’iu bashkuar Kosovës. Për më tepër, Napoli ka ndeshje në Ligën e Kampionëve më 8 nëntor.
Më 12 nëntor luan edhe Lille i Edon Zhegrovës, Beshiktashi i Milot Rashicës, Clermonti i Elbasan Rashanit e shumë skuadra tjera të futbollistëve kosovarë. Edhe lojtarët që do të kenë ndeshje të shtunën e 11 nëntorit, do të duhet të vendosin që të grumbullohen me Kosovën apo të qëndrojnë me skuadrat e tyre. Zhvillimi i dy ndeshjeve në një fundjavë nuk është opsion. FIFA ka saktësuar se klubet, në përjashtim të atyre të Kosovës dhe Izraelit, e kanë për obligim të lirojnë një lojtar.
Klubet janë të detyruara të lirojnë lojtarët, por kjo mund të ketë çmim të lartë për disa prej tyre. Heqja dorë nga një ndeshje e rëndësishme nuk përballohet lehtë nga një pjesë e klubeve. Dhe, jo të gjitha klubet do të kenë mirëkuptim për vendimin e FIFA-s e UEFA-s, ndonëse ai është obligues. Kosova më 18 nëntor luan ndaj Zvicrës në Basel, ndërsa më 21 nëntor i mbyll kualifikimet me ndeshjen në Prishtinë ndaj Bjellorusisë.
Kosova i ka shtatë pikë nga shtatë ndeshjet e deritashme dhe mban vendin e katërt në grup. Izraeli është i treti me 11 pikë nga gjashtë ndeshje. Në grup udhëheq Rumania me 16 pikë nga tetë ndeshje, ndërsa Zvicra i ka 15 pikë nga shtatë ndeshje. Prapa Kosovës në tabelë janë Bjellorusia dhe Andorra me 6 përkatësisht 2 pikë të mbledhura pas tetë ndeshjeve të zhvilluara në kuadër të Grupit I kualifikues