Stuhia e ngjashme me Ciaran goditi Shqipërinë mesditën e sotme. Zona më e prekur ishte ajo e Shqipërisë së mesme, ku Tirana dhe Durrësi morën edhe sasinë më të madhe të reshjeve të shiut. Erëra të forta dhe reshje shiu bënë që situata në kryeqytet të ishte shumë e rënduar.
Shumë nga rrugët e kryeqytetit janë përmbytur nga uji, duke vështirësuar qarkullimin e mjeteve. Gjithashtu bëhet me dije se në disa zona mësohet se është ndërprerë energjia elektrike. Prurja e lartë e reshjeve ka bërë që të rritet ndjeshëm niveli i lumit Lana, i cili rrezikon të dalë nga shtrati.
Sipas meteorologëve, ky është kodi i kuq, pasi do ketë edhe përmbytje, për shkak të stuhisë e cila ka prekur të gjithë Europën.
Në një njoftim për mediet, Policia apeloi drejtuesit e mjeteve të moderojnë shpejtësinë e lëvizjes dhe të ruajnë distancën e sigurisë. Policia po ashtu u bën u bën apel qytetarëve, “që të mos qëndrojnë në vende të pasigurta, duke qenë se për shkak të reshjeve dhe erës, mund të rrëzohen pemë ose mund të bien sende të forta nga lartësitë”.
“Për çdo rast nevoje për ndihmë, drejtuesit e automjeteve dhe qytetarët të telefonojnë numrin pa pagesë 112”, njofton Policia.
Zonat me risk më të lartë të evidentuara nga Policia janë:
– Lezhë, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse;
– Fushë-Krujë, rrugët në zonën urbane dhe rrugët lidhëse interurbane;
– Tiranë, rrugët urbane dhe ato interurbane;
– Durrës, rrugët urbane dhe rrugët interurbane lidhëse me Tiranën dhe me pjesën tjetër jugore;
– Elbasan, rrugët në zonën urbane dhe rrugët interurbane lidhëse.