Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi, që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë mbesin pa përkujdesje.
Kështu e ka pësuar së fundi një familje në fshatin Bërrnicë e Ulët në Prishtinë, ku persona ende të panjohur dyshohet se kanë thyer një shtëpi.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se pronari i shtëpisë ka njoftuar Policinë se hajnat kanë hyrë me forcë në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur stoli ari dhe disa mijëra euro para të gatshme. Sipas tij, vlera e dëmit kap shifrën e rreth 15 mijë eurove.
Si rezultat i denoncimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe në identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.