Komunat kanë shënuar rritje të të hyrave në pronë me miliona euro në krahasim me vitin e kaluar. Ndonëse nuk ka përfunduar ende ky vit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë mbi 42 milionë euro, ose rreth 95 për qind të të hyrave, nga 44.5 milionë sa është e paraparë.
Me ç’rast, edhe falja e cila është paraparë në Ligjin për Tatimin në Pronë, e që është në Gjykatë Kushtetuese, nuk ka nevojë të ndodhë.
Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, thekson se gatishmëria e qytetareve të paguajnë tatimin në pronë, ka qenë jashtëzakonisht e madhe.
Sipas tij, edhe pse janë hequr disa kushtëzime në këtë drejtim, nuk ka munguar gatishmëria e qytetarëve të paguajnë tatimin.
“Nga shuma totale e cila është e planifikuar për vitin 2023 që komunat t’i mbledhin nga tatimi në pronë, e që është e hyra kryesore e komunës, ka qenë e planifikuar që komunat të mbledhin rreth 44.5 milionë euro, deri në këto ditët e fundit, komunat kanë arritur që t’i grumbullojnë të hyrat nga tatimi në pronë në vlerë prej 42.3 milionë euro, që në përqindje i bie rreth 95 për qind të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë.
Pra, është bërë një punë e mrekullueshme nga autoritetet lokale në grumbullimin e të hyrave vetanake nga tatimi në pronë, por, gjithashtu po shihet se gatishmëria e qytetarëve është që të paguajnë tatimin në pronë edhe pse gjitha kushtet sa i përket pagesës të tatimit në pronë janë larguar.
Pra, në të kaluarën nuk ke mundur ta regjistrosh makinën nëse nuk e ke paguar tatimin në pronë, apo kushtëzimet tjera, gjitha pothuajse janë larguar. Po shihet se qytetaret janë të gatshëm ta paguajnë tatimin në pronë, sepse kjo përkthehet në investime kapitale, dhe të mirat nga ato i prekin qytetaret e Komunave në Republikën e Kosovës”, deklaroi Ibrahimi.
Sa i përket Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët që aktualisht është në Gjykatë Kushtetuese, Ibrahimi tha se kjo falje nuk ka nevojë të ndodhë, pasi sipas tij, qytetarët po paguajnë edhe në këtë formë.
“Për këtë arsyeje, neve si Asociacion, mendojmë se një falje e cila është paraparë në Ligjin për Tatimin në Pronë nuk ka nevojë të ndodhë fare, sepse po shihet se qytetarët janë të gatshëm ta paguajnë tatimin në pronë. Neve kemi marrë një vendim nga Gjykata Kushtetuese, ku ka qenë Komuna e Prizrenit, përkatësisht kryetari i kësaj komune në emër të komunave të Republikës së Kosovës, është dërguar lënda në Gjykatën Kushtetuese ku Asociacioni së bashku me komunat ka kërkuar që neni 5 i ligjit aktual për tatimin në pronë të mos zbatohet dhe Gjykata Kushtetuese njëherë ka marrë vendim për pezullimin e zbatimit të nenit 5 për faljen e tatimpagueseve për vlerën e tatimit në pronë deri në 100 euro.
Pra, ne tash jemi duke e pritur edhe vendimin final nga Gjykata Kushtetuese deri ën fund të muajit nëntor na është thënë se do të nxjerrët vendimi final sa i përket kontestimit që është bërë nga Komunat e Kosovës, por shpresojmë që vendimi do të jetë pro komunave, dhe po shihet kjo që nuk ka nevojë të veprohet ashtu siç kanë menduar niveli qendror pa konsulta fare me komunat që të bëhet një falje deri në 100 euro”, vijon Ibrahimi.
Sipas tij, kjo shumë pritet të tejkalohet. Siç thotë ai, me ardhjen e diasporës të hyrat nga tatimi do të ngritën.
“Qytetarët po tregojnë gatishmëri, komunat janë mobilizuar në plotni sa i përket grumbullimit të te hyrave vetanake nga tatimi në pronë dhe po shihet se suksesi është i jashtëzakonshëm. Pra, deri në fund të muajit tetor janë grumbulluar rreth 95 për qind, dhe tash e kemi edhe muajin nëntor dhe dhjetor, që d.m.th kjo për qindje do të ngritët.
Këtë vlerësim po e jap në bazë të përvojave që kemi pasur të deritanishme me Komunat e Republikës së Kosovës, ku zakonisht diaspora gjatë ditëve të fundit kthehet në Republikën e Kosovës dhe bëjnë pagesën e tatimit në pronë, dhe për këtë arsyeje këto mjete në disa raste nuk mund të shpenzohen sepse ato barten në vitin e ardhshëm, sepse procedurat e tenderimit marrin shumë kohë në mënyrë që të shpenzohen të hyrat vetanake në këtë rast nga tatimi në pronë”, shton Ibrahimi.
Krahasim me vitin e kaluar, Ibrahimi thotë se të hyrat vetanake kanë shënuar rritje me miliona euro.
“Në bazë të shënimeve të cilat posedojmë neve si Asociacion, pasi jemi në komunikim të rregullt me drejtoret komunal të financave, ka ngritje të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë në raport me vitin e kaluar. Kjo ngritje vlerësohet të jetë me miliona euro dhe po shpresojmë që deri në fund të vitit kjo shifër të rritet ende. Ka dallim në raport me vitin e kaluar, pra dallim pozitiv sa i përket grumbullimit të të hyrave vetanake nga tatimi në pronë”, përfundon Ibrahimi.
Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë zbatimin e nenit që parasheh faljen e 100 eurove të tatimit në pronë, duke vendosur masë të përkohshme për nenin 5 të Ligjit për tatimin në pronë.
Po ashtu, në njoftimin e dërguar për media, bëhet e ditur se vendimi i Gjykatës gjithashtu sqaron që në rrethanat e rastit konkret, pezullimi i efekteve të nenit 5 të Ligjit të kontestuar, mund të “eviton rreziqe apo dëme të pariparueshme”, që ndërlidhen me garancitë kushtetuese përkitazi me organizimin dhe funksionimin e vetëqeverisjes lokale si pasojë e ndërmarrjes së veprimeve nga pushteti lokal sipas përcaktimeve dhe afateve të saktësuara në nenin 5 të Ligjit të kontestuar.