Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomasz Szunyog, nga i cili pranoi Raportin e Progresit për Kosovën.
Asambasadori Szunyog theksoi se dokumenti paraqet një pasqyrë të zhvillimeve gjatë periudhës raportuese dhe identifikon sfidat për të ardhmen.
Ndërsa Konjufca shprehu angazhimin për të punuar në drejtim të integrimeve evropiane, si rrugë e qartë për Kosovën.
Konjufca tha se raporti do të jetë një dokument orientues për punën e Kuvendit, përderisa theksoi përkushtimin institucional për arritjen e objektivave të përcaktuara.
Ndryshe, Komisioni Evropian ka miratuar të mërkurën Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2023.
Në raport përmendet fillimisht dialogu Kosovë-Serbi i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me ç’rast Komisioni Evropian ka qortuar dy vendet për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura.
Pastaj flitet për agjendën e Qeverisë për reforma, ku theksohet si sfidë “mungesa e vazhdueshme e bashkëpunimit ndërpartiak dhe mosmarrëveshjet brenda shumicës”. Po ashtu, në raport përmendet edhe bojkotimi i punës së Kuvendit nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Mes tjerash flitet edhe për situatën në veri të Kosovës dhe sulmin e 24 shtatorit të këtij viti në Banjskë të Zveçanit, “që përbën përshkallëzimin më të rëndë të viteve të fundit”.
Komisioni Evropian ka përmendur edhe reformën në administratën publike, duke thënë se rekomandimet e vitit të kaluar nuk janë zbatuar sa duhet.