Liderët e shtatë ekonomive më të forta në botë, kanë arritur marrëveshje gjatë samitit të G7-s që të ndajnë 1 miliard vaksina anti-COVID gjatë vitit të ardhshëm, për vendet e tjera.
Sipas marrëveshjes, për këtë qëllim do të diskutohet me sektorin privat, shtetet e G20-ës dhe shtetet e tjera për të rritur kontributin në këtë drejtim, në muajt pasues.
Siç raportojnë mediat e huaja, për të finalizuar këtë marrëveshje, diplomatët e vendeve të G7-s kanë punuar deri në orët e vona të së shtunës, ndonëse është deklaruar se pjesë të draft-marrëveshjes mund të ndryshohen në orët në vijim.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ishte i pari që pak para fillimit të samitit, premtoi se administrata e tij do të dhuronte 500 milionë doza të vaksinës Pfizer.
Më vonë, edhe kryeministri britanik, Boris Johnson, u zotua se Britania e Madhe do të jepte 100 milionë doza të vaksinës kundër koronavirusit.
Rikuperimi nga dëmet e shkaktuara nga pandemia me COVID-19 dhe luftimi më i shpejtë i pandemive të së ardhmes, kanë qenë ndër temat kyçe që janë diskutuar në samitin i cili zhvillohet ndërmjet shtatë fuqive më të mëdha që janë: SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Italia, Japonia dhe Kanadaja.
Samiti i cili është i pari që pas fillimit të pandemisë dhe i cili po zhvillohet në Cornwall të Britanisë së Madhe, pritet t’i përfundojë punimet sot.