Më shumë se një vit ka kaluar prej se Ballkani ka shënuar fitoren e fundit përballë Dukagjinit në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani e pati arritur fitoren e fundit ndaj skuadrës nga Klina më 28 gusht të vitit të kaluar. Kishte fituar 1:0.
Katër ndeshjet e fundit mes Ballkanit dhe Dukagjinit kanë përfunduar me rezultatin e njëjtë, 1:1. Ballkani e Dukagjini do të përballen të hënën, në ndeshjen e fundit të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës. Kjo ndeshje është caktuar të luhet të hënën për shkak të angazhimit të Ballkanit në Astana të Kazakistanit në kuadër të Ligës së Konferencës dhe po ashtu ndeshjes që Kosova e luajti të dielën. Ndeshja në Astana përfundoi pa gola.
Ndeshja Ballkani – Dukagjini do të luhet në Suharekë nga ora 13:00.
Sulmuesi i krahut i Ballkanit, Almir Kryeziu, e cilëson të vështirë përballjen me Dukagjinin, që nuk di për humbje në 11 xhirot e fundit. Por Kryeziu dhe të tjerët te Ballkani janë të vendosur ta ndërpresin serinë pa humbje të klinasve.
“Mendoj që nuk është ndeshje e lehtë. Dukagjini është skuadër e papërshtatshme për ne, por duke parë formën e mirë të ekipit tonë besoj që do ta fitojmë këtë ndeshje. Është ndeshje e rëndësishme për ne, ashtu si gjitha ndeshjet e tjera”, ka thënë Kryeziu të dielën.
Të vështirë ndeshjen ndaj Dukagjinit e ka cilësuar edhe mbrojtësi i krahut të majtë, Lorenc Trashi.
“Do të jetë ndeshje e vështirë duke parë edhe ngarkesën fizike që kemi, sepse kemi një kohë të gjatë që jemi pjesë e ndeshjeve në Evropë dhe kampionat. Kemi bërë më së miri deri tani, kemi marrë maksimumin dhe objektivi ynë realisht është kampionati. Pak ditë kemi pasur në dispozicion të përgatitemi, sepse jemi kthyer nga një udhëtim i gjatë. Por shpresoj dhe uroj të marrim maksimumin e pikëve në ndeshjen ndaj Dukagjinit. Është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Dukagjini ka një ekip simpatik, luan mirë futboll dhe çdo ekipi i ka hapur probleme. Uroj të dalim me pikët maksimale nga ky takim”, ka thënë Trashi.
Ballkani në ndeshjen ndaj Dukagjinit pritet të jetë pa liderin e mbrojtjes, Lumbardh Dellovën, dhe mesfushorin me shumë ndikim, Qëndrim Zyba. Edhe Dukagjini do të jetë pa portierin e parë, Kenan Haxhihamzën. Të tre lojtarët janë pjesë e grumbullimit të Kosovës.
Te Dukagjini besojnë se do t’i shkaktojnë telashe Ballkanit edhe pa Haxhihamzën në portë.
“Jemi përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje që do ta luajmë kundër Ballkanit. Jemi optimistë se do të paraqitemi mirë edhe në Suharekë. Kemi dalë shumë mirë edhe në ndeshjet e kaluara, jo vetëm kundër Ballkanit, por edhe kundër skuadrave të tjera të forta. Gjithmonë kundër Ballkanit jemi paraqitur mirë. Është normale që kemi një motiv shtesë të luajmë kundër kampionit të vendit. Pres të paraqitemi mirë dhe të marrim pikë në Suharekë”, ka thënë mesfushori i Dukagjinit, Bujar Shabani.
Ballkani është lider i Superligës me 29 pikë nga 11 ndeshje të zhvilluara, kurse Dukagjini është në vendin e gjashtë me 17 pikë nga 13 ndeshje të zhvilluara. Ballkani ende nuk ka humbje në këtë edicion.
Nëse ka fitore në Suharekë, atëherë seria e njërës skuadër do të përfundojë.