Kosova kërkon pronën në Mal të Zi që i është marrë në Serbi

Kosova kërkon pronën në Mal të Zi që i është marrë në Serbi

Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) po kërkon nga Ministria e Financave e Malit të Zi që ta ndalojë ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të ish-ndërmarrjes shoqërore “PIK Kosova-Eksport – Industria e Mishit”, nga Fushë Kosova.

Pronat e saj ndodhen në Podgoricë, Tivar dhe Budvë.

Duke qenë se kjo agjenci, në përputhje me ligjin, menaxhon të gjitha ish-ndërmarrjet shoqërore të Kosovës, ajo pretendon se është pronarja e vetme e atyre pronave.

Sipas saj, pas vitit 1999, këto prona janë përvetësuar ilegalisht nga kompania “Klanica” në Kralevë, e cila më pas i ka shitur.

Ajo kërkoi dy herë nga Administrata për Pronë Shtetërore dhe Kadastër e Malit të Zi që ta zhvlerësojë kontratën për shitjen e tyre, të cilën “Klanica” e ka lidhur në Serbi.

Pasi Administrata refuzoi, rasti përfundoi në Ministrinë e Financave të Malit të Zi, e cila është eprore e Administratës.

“Kemi paraqitur ankesë te një autoritet tjetër kompetent, Ministria e Financave, kundër vendimit të Drejtorisë së Kadastrës së Podgoricës, të datës 24 janar 2023, lidhur me ndryshimin e pronësisë së patundshmërive të PIK Kosovës në Mal të Zi”, thanë për REL-in nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Bëhet fjalë për gati 1.000 metra katrorë hapësira biznesi në lokacione prestigjioze.

Në qendër të Podgoricës janë shtatë të tilla me një sipërfaqe totale prej 700 metrash katrorë – prej të cilave 500 janë në katet përdhes të objekteve të banimit dhe 200 në bodrumet e tyre.

Në qendër të Budvës është një hapësirë prej 60 metrash katrorë, ndërsa në Tivar prej 137 metrash katrorë, plus 47 metra katrorë bodrum.

Që nga nëntori i vitit 1999, patundshmëritë në Mal të Zi u menaxhuan nga kompania “Klanica” nga Kraleva, përmes kompanisë me të njëjtin emër në Mal të Zi, të themeluar po atë muaj, me seli në Podgoricë.

Tre vjet më vonë, në gusht të vitit 2002, u themelua një kompani tjetër “Klanica Kralevo” si pjesë e një kompanie të huaj me seli në Tivar, gjegjësisht në vendbanimin Sutomore.

Kur kompania mëmë “Klanica Kralevo” në Serbi falimentoi në mes të vitit 2019, pronat në Mal të Zi u shitën përmes procedurave të falimentimit.

Ankandi publik u mbajt në Beograd më 8 shkurt 2022, sipas dokumentacionit të Agjencisë për Licencimin e Administratorëve të Falimentimit të Serbisë.

Vlera e parashikuar e pasurisë së paluajtshme ishte rreth 620.000 euro dhe ajo iu shit për pak më pak se 240.000 euro shtetases së Bosnjës, Angjella Sekulloviq, nga Sutomorja.

Sipas të dhënave të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Kosova ka mbi 30 objekte pronësore në Mal të Zi, pronari i të cilave është ndërruar ilegalisht.

Kosova posedon 163 objekte pronësore, përkatësisht ndërmarrje shoqërore në vendet e ish-Jugosllavisë.

Related Articles