Ministria e Drejtësisë ka reaguar lidhur me zjarrin që ka përfshirë mëngjesin e kësaj të marte dy zyra në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore.
Nga ministria kanë thënë se zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet.
“Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyrat e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet”, thuhet në reagimin për media.
Nga ky dikaster tutje kanë thënë se menjëherë pas pranimit të informacionit, ekipet e zjarrfikësve dhe policisë kanë shkuar në vend të ngjarjes.
“Zëvendësministri Sallahu është duke qëndruar po ashtu atje, për të kuptuar më shumë rreth situatës së krijuar. Për zhvillimet e mëtutjeshme do të informoheni me kohë”, kanë thënë nga MD-ja.
Ndryshe, nga Policia e Kosovës kanë konfirmuar se nuk ka persona të lënduar dhe se ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
Kjo është hera e dytë brenda vitit që IML-ja përfshihet nga flakët.