Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë hapëse të Konferencës ‘’KosovaPar2023’’, ku u diskutua për të ardhmen e Administratës Publike, fleksibilitetin, stabilitetin dhe digjitalizimin e Administratës Publike, organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, ngjarje kjo e cila do të bëhet vjetore.
Fjalën e tij, kryeministri Kurti e nisi me një falënderim ndaj ministrisë përkatëse për organizimin e kësaj konference siç e quajti ai, shumë të rëndësishme për vendin tone dhe për Administratën Publike.
Kurti u shpreh se këto konferenca janë të rëndësishme sepse bëjnë bashkë akademikë, zyrtarë publikë nga vendi dhe bota për të debatuar, për të shkëmbyer si ide ashtu edhe përvoja rreth praktikave më të mira të reformimit të administratës publike.
“Reforma e administratës publike, dua të theksoj se është prioritet i Qeverisë sonë. Praktika e shteteve të tjera në Evropë ka dëshmuar se një administratë publike efikase, moderne, transparente dhe llogaridhënëse është çelësi i të gjitha reformave të tjera. Pra, reforma e administratës publike nuk është si çfarëdo reforme tjetër, për shkak se ajo është reforma që mundëson reformat e tjera’’ u shpreh kryeministri.