Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në seancën e sotme të Kuvendit, ka thënë se aktivitetet terroriste të Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij kundër Kosovës nuk kanë pushuar edhe pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.
Në Kuvendin e Kosovës, Rexhaj i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta rrisin presionin ndaj Serbisë në mënyrë që kjo e fundit ta ekstradojë Radoiçiqin në Kosovë.
“I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, të rrisin presionin ndaj Serbisë për ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij në Kosovë, dhe të vihen para drejtësisë së Republikës së Kosovës. Për veprat e tyre terroriste dhe vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, përgjegjësinë do ta japin në Republikën e Kosovës”, u shpreh deputeti i LVV-së.
Ai tha se Serbia asnjëherë nuk ka pushuar së rrezikuari sigurinë e Republikës së Kosovës.
“Edhe pas presionit ndërkombëtar, dhe veçanërisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ajo ende nuk i ka tërhequr forcat ushtarake nga afërsia e kufirit me Kosovën. Ka 48 baza ushtarake operuese për gjatë gjithë vijës kufitare me Kosovën, dhe së fundi ka vendosur sistemet kundër ajrore Pantsir-S të prodhimit rus dhe sistemin FK-3 të prodhimit kinez”.
“Mungesa e një politike ndëshkimore e sanksionuese kundër Serbisë, po e mundëson ripërsëritjen dhe shtimin e sjelljeve kërcënuese e të agresionit kundrejt fqinjëve të saj”, tha Rexhaj.