Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, deklaroi sot në Kumanovë, se vendi do të ketë kryeministrin e parë shqiptar, pas dy muajve, respektivisht në janar të vitit 2024. Ai nuk shpalosi emrin e kryeministrit shqiptar, por përjashtoi mundësinë që vetë ta merr këtë post.
“Pesë përbetime kryesore i kishim në aspektin politik. E para ishte kryeministri shqiptar. Edhe këtë e shikoni dhe e patë që nga konferenca e parë e përbashkët e z.Ahmeti dhe ish-kryeministrin Zoran Zaev ku me gojën e vetë Zaev e tha që jemi marrë vesh që në 100 ditë e fundit të qeverisë unë të tërhiqem dhe të jep mundësi për një garë fer mes partive politike dhe të më zëvendësoj propozimi që do të jep Ali Ahmeti dhe BDI duke realizuar premtimin për kryeministrin e parë shqiptar. Çështja e parë u ezaurua. Sot e dy muaj e keni kryeministrin e parë shqiptar, në janar”, tha Grubi para anëtarësisë së BDI-së në Kumanovë.
Në marrëveshjen qeverisëse në mes të LSDM-së – partisë më të madhe maqedonase e dalur në ato zgjedhje – dhe BDI-së, parashihej që në 100 ditët e fundit të qeverisjes, kryeministri të jetë shqiptar – për herë të parë në histori.
Në lidhje me këtë temë, ka folur këto ditë edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
Kovaçevski tha se marrëveshja që kanë me BDI-në nga viti 2020 është ende në fuqi, e cila parasheh kryeministër shqiptar për 100 ditët e fundit të qeverisjes.
Sipas Kovaçevskit, koalicionit apo frontit europian, duhet t’i bashkëngjiten partitë që ndajnë idetë e përbashkëta.
“Ne BDI-në kemi marrëveshje të qartë koalicionuese e cila është publike nga viti 2020. Gjithsesi se për modalitetet me ta po bisedohen mirëpo konsideroj se qëllimi për realizimin e koalicionit europian të cilën do ta udhëheqë një front i gjerë sa i përket promovimit të asaj ideje, është gjëja kyçe e cila do t’i bashkojë partitë në zgjedhjet e ardhshme.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski.