Federata Shqiptare e Futbollit ka ndarë një njoftim për mundësinë e blerjeve të biletave për ndeshjet e fazës së grupeve në Kampionatin Evropian “Euro 2024”.
Shqipëria është kualifikuar për herë të dytë në histori në Kampionatin Evropian dhe tifozë të shumtë të kombëtares shqiptare pritet të jenë të pranishëm në Gjermani.
Të gjithë të interesuarit për t’u pajisur me bileta për ndeshjet e vitit të ardhshëm në Gjermani, mund të hyjnë në faqen zyrtare të UEFA.com, duke përdorur linkun përkatës.
Federata Shqiptare e Futbollit nënvizon se nuk shet asnjë biletë për tifozët e Kombëtares, por biletat për ndeshjet e Kombëtares apo ndeshjet e tjera të finaleve të Europianit do të shiten vetëm online në faqen e UEFA-s, në linkun e lartpërmendur.
Tifozëve u kërkohet që të krijojnë një llogari në faqen zyrtare të UEFA-s dhe të aplikojnë për bileta për ndeshjet e preferuara të Kombëtares shqiptare. Regjistrimi nis në datën 4 deri më 12 dhjetor 2023, pasi Kombëtarja shqiptare të njohë kundërshtarët në grup dhe stadiumet ku do të luajë. Në momentin që regjistroheni, ju duhet të identifikoheni si tifoz i Kombëtares shqiptare, duke zgjedhur ndeshjet e Shqipërisë (flamur shqiptar).
Gjithashtu, ju duhet të përcaktoni edhe numrin e biletave që doni të keni në dispozicion. Me një llogari, ju mund të blini deri në 4 bileta për një ndeshje. Nëse kërkesat dhe aplikimet tejkalojnë disponueshmërinë e biletave që i jepet si kuotë tifozëve shqiptarë, UEFA do të hedhë një short për të gjithë personat që kanë aplikuar si tifozë të Shqipërisë. Fituesit do të njoftohen me e-mail për të paguar biletat e tyre në janar të vitit 2024.
Pasi të kryeni pagesën, ju do të merrni edhe konfirmimin që pagesa është kryer dhe bileta do të vijë në format elektronik vetëm në aplikacionin e UEFA-s (UEFA Mobile Tickets), që duhet ta keni të instaluar në telefonin tuaj. UEFA bën me dije se biletat nuk do të shpërndahen tani, por gjatë muajve në vazhdim. Kur biletat të jenë të disponueshme brenda aplikacionit, ju do të informoheni me e-mail. Ky e-mail do të përmbajë gjithashtu edhe një shpjegim të shkurtër të se si funksionon aplikacioni.
Shorti i turneut final të UEFA EURO 2024 hidhet të shtunën, më 2 dhjetor në Gjermani dhe Shqipëria do të njohë grupin dhe kundërshtarët e saj në këtë kompeticion. Kombëtarja shqiptare është e pozicionuar në vazon e dytë të UEFA-s, pas rezultateve fantastike në këtë fushatë eliminatore dhe renditjes në vendin e parë në grupin E me 15 pikë.