Futbollistet e Kosovës kanë vetëm një synim të premten. Synimi i futbollisteve të Kosovës është fitorja në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, në ndeshjen shumë të rëndësishme në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Ndeshjen vendimtare për kalim nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve, Kosova e ka kundër Bullgarisë në Podujevë nga ora 13:00.
Kosova është në vendin e parë me shtatë pikë nga tri ndeshje, kurse bullgaret janë një pozitë më poshtë me katër pikë nga dy ndeshje. Maqedonia e Veriut është pa pikë në vendin e fundit. Në ndeshjen e parë të luajtur në Sofje, Kosova ka barazuar 1:1 me Bullgarinë.
“Dardanet” të enjten gjatë ditës në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali e kanë zhvilluar stërvitjen e fundit para ndeshjes me Bullgarinë, ndërsa optimizmi për fitore është shumë e madhe tek lojtaret.
Futbollistet Edona Kryeziu dhe Elizabeta Ejupi kanë theksuar se kanë analizuar me kujdes Bullgarinë.
“Nga fillimi jemi fokusuar për t’i përmirësuar gabimet e ndeshjeve të kaluara në mënyrë që ta fitojmë këtë ndeshje. E dimë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe nuk mendojmë për ndonjë rezultat tjetër përveç fitores. Me këtë fitore sigurojmë kalimin në Ligën B të Ligës së Kombeve, prandaj është ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Jemi përgatitur maksimalisht dhe shpresoj të dalim me fitore”, ka thënë Kryeziu për faqen zyrtare të FFK-së.
Kryeziu e klubit Mitrovica është futbollistja e dytë me më së shumti paraqitje te Kosova. Rekordin për ndeshje të zhvilluara e ka bashkëlojtarja e saj Kaltrina Biqkaj me 45 ndeshje. Biqkaj ka dy ndeshje më shumë të zhvilluara se Kryeziu.
Edhe Elizabeta Ejupi është bërë e rëndësishme për Kosovën. Ajo ka pesë paraqitje, ndërsa shpreson ta jap kontributin e saj edhe në ndeshjen ndaj bullgareve.
“Kemi pasur një atmosferë të mirë në kamp, kemi kaluar shumë mirë dhe besoj se jemi gati për ndeshje”, ka thënë .
29-vjeçarja thotë se mezi presin përballjen me bullgaret.
“Jemi të emocionuara shumë për këtë ndeshje dhe synimi është fitorja dhe mezi presim ditën e ndeshjes. Kemi shikuar ndeshje të Bullgarisë, kemi bërë analizën me grupin dhe besoj se i kemi shikuar të gjitha gjërat për të qenë gati për ndeshjen kundër Bullgarisë”, ka thënë Ejupi, që luan për Sunderlandin e Anglisë.
Për Kosovën ndeshja ndaj Bullgarisë do të jetë e fundit. Bullgaria ka edhe një ndeshje për ta zhvilluar. Më 5 dhjetor luan kundër Maqedonisë së Veriut.