Infektologu Ramadani ka kërkuar që të vaksinohen deri në 6 mijë persona

Infektologu Ramadani ka kërkuar që të vaksinohen deri në 6 mijë persona

Procesi i vaksinimit në vend nga infektologu, Hamdi Ramadani po vlerësohet si i mirë organizuar deri tani.

“Deri më sot afërsisht deri në 100 mijë qytetarë janë vaksinuar dhe kjo është një plus, është një përparësi dhe fakt shumë pozitiv dhe janë jashtë rrezikut të sëmundjes Covid dhe mundësi minimale për tu infektuar”, ka thënë ai.

Ai tha se vendi ka kapacitete të mjaftueshme që vaksinimi masiv të rezultojë i suksesshëm.

“Unë besoj që është kapaciteti në nivel vendi dhe të ekipeve për vaksinim dhe vendi ynë e ka mundësinë e vaksinimit, imunizimit të qytetarëve në nivel vendi”, ka thënë Ramadani.

Infektologu Ramadani ka kërkuar që të vaksinohen deri në 6 mijë persona në ditë në mënyrë që imunizimi i qytetarëve të arrihet sa më shpejtë.

“Unë do të kisha sugjeruar që vaksinimi të bëhet me më shumë persona, minimumi 6 mijë persona për shkak se mundësia e infeksionit do të jetë shumë më e vogël pasi edhe variantet e reja do të jenë në nivel minimal të infektimit”, ka thënë ai.

Ramadani tutje shprehet se janë 200 punkte në gjithë vendin të cilat duhet të shfrytëzohen për vaksinimin anti-Covid.

“Janë diku mbi 200 punkte për vaksinim të cilat mund të shfrytëzohen dhe nuk ka arsye pse të ketë vonesa”, u shpreh ai për Front Onlline.

Sot gjatë ditës ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia deklaroi se vaksinat e para nga kontrata me Pfizerin do të arrijnë në fund të muajit.

Sipas Vitisë deri në fund të vitit do të jenë në dispozicion 2 milionë doza të vaksinave.

“Ne kemi siguruar kontratë me kompaninë Pfizer për mbi 1.2 milionë doza deri në fund të vitit dhe së bashku me dozat tjera që do të na vijnë nga COVAX dhe miqtë tanë atëherë deri në fund të vitit do t’i kemi në dispozicion diku 2 milionë doza të vaksinave, nëse e bëjmë një llogaritje i bie që çdo muaj të vaksinojmë diku rreth 320 mijë qytetarë”, tha Vitia.

Ministri Vitia në këtë konferencë u bëri thirrje qytetarëve që të aplikojnë për marrjen e vaksinës.

Related Articles