Detaje të reja po dalin rreth ngjarjes tragjike e cila ndodhi në orët e mbrëmjes së 29 nëntorit, datë kjo në të cilën u vra Liridona Ademaj.
Deri më tani tre persona janë të dyshuar për vrasjen e cila pretendohet në dosjet e hetuesisë dhe prokurorisë se ishte inskenuar, ndërsa urdhërdhënësi për të kryer vrasjen dyshohet të jetë Naim Murseli, burri i Liridona Ademajt.
Në dosjen e prokurorisë që ka siguruar KALLXO.com, përmendet fakti se rreth orës 20:25 në rrugën “Dalip Alshiqi” në fshatin Bërnicë, me maskë në kokë e i armatosur kishte dalë para veturës tashmë i dyshuari Granit Plava dhe nga një afërsi e kishte qëlluar me plumb në qafë Liridona Ademajn.
Nga plaga që ka marrë Liridona Ademaj kishte vdekur ndërsa prokuroria përshkruan edhe detaje të tjera të cilat tregojnë inskenimin e një grabitje e cila sipas prokurorisë besohet të jetë një vrasje me pagesë.
Prokuroria në dokumentin e saj me të cilin ka kërkuar edhe masën e sigurisë-paraburgimin e tre të dyshuarve, Naim Murseli, Granit Plava e Kushtrim Kokalla, ka treguar rolin e secilit prej tashmë të pandehurve në rast.
Fillimisht, Naim Murseli pretendohet sipas dosjes që ishte marrë vesh me Granit Plavën që kur të dalë me maskë ta qëlloj me armë Liridona Ademajn, Naimi me dy fëmijët të largohej nga vetura fillimisht.
Naim Murseli bashkë me bashkëshorten Liridona Ademajn dhe dy fëmijët e tyre ishin në një veturë të tipit “BMW” me targa të Suedisë.
Liridona Ademaj kishte mbetur e vdekur në vendin e ngjarjes nga plaga që kishte marrë prej armës e që dyshohet se kishte shtënë Granit Plava.
Granit Plavës sipas dosjes, Naim Murseli i kishte premtuar paraprakisht një shumë të hollash prej 30 mijë euro për të kryer vrasjen e Liridona Ademajt.
Sipas dosjes, Naim Murseli i kishte treguar për problemet bashkëshortore familjarit të tij Kushtrim Kokalla, ky i fundit pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës, ndërsa i njëjti pretendohet se i kishte thënë se “unë ta zgjidhi këtë punë”.
Gjatë bisedës, dosja përmban edhe detaje të tjera të cilat ngrenë dyshimet se ishte pikërisht i dyshuari Kushtrim Kokalla i cili së bashku me Naim Murselin ishin marrë vesh për një aksident të inskenuar.
Tutje dosja tregon edhe se një javë para ngjarjes kritike, të pandehurit Naim Murseli, Kushntrim Kokalla dhe i pandehuri Granit Plava janë takuar në një pompë të derivateve dhe se gjatë këtij takimi pretendohet se Plava i ka thënë Murselit se merret me gjithçka.
Murseli sipas dosjes thuhet se i kishte kërkuar Kushtrim Kokallës edhe numrin e telefonit të Granit Plavës ndërsa në ditën kritike disa orë para kryerjes së veprës penale ishin takuar në lokacion tjetër Kokalla dhe Murseli dhe se ky i fundit pretendohet se i tha kushëririt të tij që ‘kjo punë duhet të kryhet sot’ duke aluduar në vrasjen e Liridona Ademajt.
Disa orë më vonë pra rreth orës 20:35 kishte ndodhur edhe vepra penale e cila fillimisht ishte regjistruar si grabitje me pasojë vdekje.
Vetëm dy ditë pas ngjarjes, Policia e Kosovës njoftoi se kishte arrestuar dy persona të dyshuar për ngjarjen e rëndë që ndodhi në Bërnicë. Naim Murseli dhe Granit Plava fillimisht ishin të arrestuarit e policisë e që dyshoheshin se ndërlidheshin me vrasjen që ndodhi ndaj Liridona Ademajt.
Vetëm pak orë më vonë u njoftua edhe arrestimi i tretë, Kushtrim Kokalla një pjesëtar i FSK-së.
Naim Murseli e Kushtrim Kokalla janë familjarë mes vete ndërsa, Granit Plava pretendohet se është shok i pjesëtarit të FSK-së.
Mbi Naim Murselin rëndon vepra penale e vrasjes së rëndë në bashkëkryerje, kurse për Plavën rëndon vepra penale vrasje e rëndë dhe armëmbajtje pa leje, ndërsa për Kushtrim Kokallën marrëveshje për ta kryer veprën penale të vrasjes së rëndë.