Artan Muhaxhiri, analist, në InfoPlus ka folur për peticionin për zgjedhjen e kryetarëve të komunave veriore të vendit, por për draft-statutin e Asociacionit.
Ai, lidhur me nismën e peticionit të disa serbëve të veriut për shkarkimin e kryetarëve aktualë shqiptarë në komunat veriore, tha se zgjedhjet në katër komunat të asaj pjese janë një domosdoshmëri.
“Sa më shumë që zgjatet, aq më keq do të jetë edhe për qeverinë e Kosovës, por edhe për gjithë trajektoren e negociatave, dialogut, sepse pa u tejkaluar ky problem nuk mund të vijmë deri te temat që janë të rëndësishme”, deklaroi Muhaxhiri.
Muhaxhiri sqaroi se dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore ishte menduar si një opsion, por që qeveria ka parapëlqyer që kjo të bëhet përmes një udhëzimi administrativ, ku me 20% të qytetarëve të mund të niset procedura e shkarkimit të kryetarëve komunalë, por që, shtoi ai, kjo po merr kohë.
“Pa zgjedhje të reja që do ta reflektonin vullnetin politik të qytetarëve nuk do të ketë ecje përpara”, deklaroi Muhaxhiri.
Ai më tej shtoi se procesi po shkon ngadalë, dhe për më tepër kritikoi qeverinë për pengesa të vazhdueshme ndaj këtij procesi, sepse, sipas tij, kjo do të mund të kryhej më shpejtë, pavarësisht lutjeve të aleatëve tanë ndërkombëtarë.
“Megjithatë mirë që ka filluar dhe KQZ-ja duhet ta luaj rolin e vet sa më shpejtë, në mënyrë që kjo temë të largohet nga agjenda”, deklaroi Muhaxhiri.
Ndërsa lidhur me Asociacionin, për draftin e tij, Muhaxhiri tha se është obligim shtetëror, por që duhet bërë punën që dëmet të minimizohen sa më shumë që të jetë e mundur, që ky asociacion të jetë brenda Kushtetutës, brenda kornizës ligjore të vendit.