Që nga 1 janari i vitit të ardhshëm pritet të hyjë në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën.
E, të gjithë qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.
Por, të gjithë ata që udhëtojnë nuk mund edhe ta shfrytëzojnë të drejtën e punës.
Nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë kanë shpjeguar rrjedhjen e procedurave për ata persona që mund të përfitojnë edhe të drejtën e punësimit.
“Të gjithë shtetasit kosovarë që dëshirojnë të kërkojnë punë në Gjermani duhet të pajisen me leje qëndrimi. Procedura e aplikimit për vizë ndryshon në varësi të kategorisë së vizës së punës”, thuhet në përgjigjen e ambasadës për Front Online.
Në ambasadë kanë thënë se shifrat e lëshuara për viza për kosovarët në vitin 2023 do të bëhen publike në fillim të vitit 2024.
Derisa kanë treguar shifrat e vitit 2022.
“Në vitin 2022, Ambasada Gjermane ka lëshuar 48,937 viza Shengen (për kosovarët që dëshirojnë të qëndrojnë në Gjermani në baza të përkohshme për qëllime turistike, biznesi dhe të tjera) dhe 17,479 viza kombëtare (mes tyre 9,309 viza pune për shkencëtarë, trajnime profesionale, praktika, Au Pair, punë vullnetare dhe 7,270 viza për imigrimin e mëvonshëm të një anëtari të ngushtë të familjes) për kosovarët e të gjitha moshave”, thuhet më tutje në përgjigje.
Politika e liberalizimit të vizave u mundëson mbajtësve të pasaportave kosovare që të hyjnë pa vizë në zonën Schengen për maksimum 90 ditë brenda një periudhe 6 mujore për qëllime vizite, turizmi apo biznesi.
Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin ende lirshëm në zonën Schengen.
Kjo, me gjithë faktin se Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar disa herë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare që vazhdimisht kanë shprehur rezerva.