Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “frikohet se situata rreth Kosovës dhe Republikës Serbe do të vendoset në një mënyrë gjithnjë e më të ashpër në periudhën e ardhshme”.
Ai ka përsëritur se ekziston synimi që Marrëveshja e Ohrit të përfshihet në kapitullin e negociatave, që ka të bëjë me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Tani do t’ju shpjegoj se me çfarë teknike ata duan të arrijnë qëllimin e tyre. Që Marrëveshja e Ohrit të pranohet në tërësi me pëlqimin e Serbisë edhe me pjesët që ne i refuzuam, të cilat kanë të bëjnë me Kombet e Bashkuara, agjencitë, institucionet dhe organizatat në OKB, që të jetë pjesë e kapitullit, dhe më pas të bëjnë një raport të posaçëm të BE-së që do të përcillet në OKB, dhe për këtë as nuk duhet të na pyesin”, ka thënë Vuçiq për televizionin në shërbim të regjimit aktual serb “TV Happy”.
Sipas fjalëve të tij, “është e palogjikshme të mos na pyesin, por nuk mund të na pyesin dhe ky dokument bëhet pjesë e dokumentacionit të Kombeve të Bashkuara, pas së cilës shumë vende të tjera mund t’i referohen këtij dokumenti”.