Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, ka folur para nisjes së Samitit të BE-Ballkan Perëndimor. Borell ka thënë se në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është investuar shumë kohë dhe energji, derisa procesi ka pasur rënie e ngritje, kriza por edhe zgjidhje.
Shefi i diplomacisë së BE-së ka veçuar marrëveshjen e fundit për energjinë, ndërkohë ka thënë se ka përparim edhe sa i përket Marrëveshjes së Ohrit dhe Aneksit të Implementimit. Borell ka thënë se ditëve të fundit ka lajme të mira, meqë Kosova dhe Serbia po lëvizin, ngadalë por që po lëvizin, raporton Express.
Ai ka thënë se BE-ja duhet t’i shtyjë palët në këtë rrugë.
“Në veçanti është dialogu Kosovë-Serbi. Kemi investuar shumë kohë dhe energji. Ka pasur ngritje dhe rënie, shumë kriza, por edhe zgjidhje, energjia, kartat e identitetit, tabelat e veutrave. Energjia ka qenë një marrëveshje e fundit e mirë. Dhe një përparim me marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin e implementimit. Në ditët e fundit ka pasur lajme të mira, të dy palët po lëvizin, ngadalë, por ato po lëvizin. Dhe duhet t’i shtyjmë që të lëvizin në këtë rrugë. Sepse është e vetmja për ta, për të pasur një perspektivë të qartë evropiane“, ka thënë Borell.