Kushtet e punës, zjarrfikësit protestojnë sërish nesër para Qeverisë

Kushtet e punës, zjarrfikësit protestojnë sërish nesër para Qeverisë

Zjarrfikësit do të mblidhen për të protestuar para Qeverisë, nesër duke filluar nga ora 11:00.

Marshi i protestuesve do të niset nga ora 10:30 nga parkingu i Pallatit të Rinisë duke shkuar kështu në këmbë në sheshin “Zahir Pajaziti”, e deri te objekti qeveritar.

Kjo do të bëhet në shenjë pakënaqësie për vendimin që zjarrfikësve të ju anulohet pagesa për rrezikshmëri në punë, me kushtet e punës dhe gjendjen në përgjithësi në shërbimin e fikjes së zjarrit dhe shpëtimit.

Po ashtu pakënaqësi kanë edhe me mosplotësimin e kërkesave, që në kumtesë thuhet se janë parashtruar në kohë, dhe se janë të drejta, legjitime dhe të bazuara në ligje.

“Dhe shumë probleme tjera rreth organizimit, statusi juridik ende i pa zgjidhur, mosdefinimi i kompetencave menaxhuese mes Komunave dhe MPB/AME, mosplanifikimi buxhetor për zjarrfikës, kushtet e dobëta të punës numri i pamjaftueshëm i zjarrfikësve, mosha mesatare në prag të viteve 50, kjo gjendje ka shkaktuar indinjatë dhe njëherësh si pasojë e problemeve të pazgjidhura me dekada”, shkruan në kumtesë kur tregohen arsyet për atë që pritet të ndodhë nesër.

“Zjarrfikësit janë të anashkaluar dhe të trajtuar në mënyrën diskriminuese më të vrazhdë të mundshme në çdo aspekt dhe jemi të bindur se të gjithë e dinë ketë gjendje të krijuar te kjo kategori e të punësuarve. Kjo neglizhencë e institucioneve për mosveprim ka irrituar Zjarrfikësit e Kosovës dhe janë këmbëngulës të kuptojnë qëndrimin e Qeverisë dhe të marrim një konfirmim dhe përgjigje nga Qeveria e Kosovës. Zjarrfikësit e Kosovës nuk janë bindur se për shkak se nuk ka mjete buxhetore, kërkesat nuk janë plotësuar, përgjigje që kemi marr në takimet që kishim gjatë protestës dhe pas protestës, në dialogun që kishim lidhur me kërkesat tona të paplotësuara me vite”.

Sindikata e Zjarrfikësve tha se protesta do të vazhdojë derisa të marrin përgjigje për kërkesat e parashtruara.

Edhe në fund të muajit që shkoi, ka pasur protestë nga zjarrfikësit për shkak të mospërmbushjes së kërkesave të tyre.

Related Articles