Deputetët e Kuvendit të Kosovës të premten kanë shkarkuar Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Për shkarkimin e Bekës kanë votuar 62 deputetë ndërsa s’ka pasur asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
“Me 62 vota për, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenuese, Kuvendi e shkarkoi Agron Bekën nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Herën e fundit, shkarkimi i Bekës kishte dështuar më 2 nëntor në mungesë të kuaorimit. Më 2 nëntor, në mungesë kuorumi, ishte shtyrë për seancë tjetër votimi i rekomandimit për shkarkimin e anëtarit joprokuror në KPK. Edhe më 19 tetor, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk e kishte shqyrtuar rekomandimin për shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të KPK-së.
Pas inicimit të Komisionit për shkarkimin e Bekës, Këshilli Prokurorial pati akuzuar deputetët për tendencë për ndërhyrje e cenim të sistemit prokurorial. KPK-ja pati akuzuar Komisionin se e ka marrë vendimin pa i shqyrtuar të gjitha provat.