A. S. dhe I. H., janë dy personat e dyshuar për aksidentin tragjik në garën automobilistike mbrëmjen e 16 dhjetorit, në Autostradën ‘Ibrahim Rugova’ në të cilin vdiqën 3 persona.
Sipas Kodit Penal nga neni 370, rrezikimi i trafikut publik që sjell për pasojë vdekjen e një apo më shumë personave, dënueshmëria minimale është 3 vite kurse ajo maksimale 12 vite.
“Nëse vepra penale nga paragrafi 1. ose 2. i këtij neni rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet” – përshkruhet në paragrafin 5 të nenit 370 të Kodit Penal.
Sipas Prokurorisë, për pasojë në këtë aksident ishin goditur për vdekje këmbësorët – viktimat N. B., M. D., dhe L. S, të cilët ishin duke e ndjekur zhvillimin e garës.
Gjatë ditës së sotme prokuoria e Prizrenit ka kërkuar paraburgim ndaj të arrestuarëve nën dyshimin për rrezikim të trafikut publik nga Kodit Penal.
“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A. S., dhe I. H., në kohëzgjatje prej 30 ditësh, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga neni 370 – paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal” – thuhet në njoftimin e prokurorisë, raporton Kallxo.
Si ka ndodhur rasti sipas prokurorisë?
Sipas dosjes së prokurorisë, të pandehurit janë marrë vesh dhe kanë organizuar garë të kundërligjshme automobilistike.
Ata kishin lëvizuar paralelisht me automjetet e tyre me një shpejtësi jashtëzakonisht të madhe, dhe në një moment i pandehuri i dytë me automjetin e tij i afrohet të pandehurit të parë, me ç’rast ky i fundit humb kontrollin mbi drejtimin e automjetit duke devijuar në mënyrë diagonale nga shiriti i majtë i rrugës, me ç’rast e godet automjetin e markës ‘’VW Golf’’, i cili ishte i ndalur në shiritin emergjent të austostradës.
Për këtë rast kishte reaguar edhe kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili kishte thënë se ky rast ka goditur rëndë tri familjet.