UEFA pranon kërkesa për 30 milionë bileta, ndeshjet e Shqipërisë prej më të kërkuarave

UEFA pranon kërkesa për 30 milionë bileta, ndeshjet e Shqipërisë prej më të kërkuarave

Interesimi për ndeshjet e Kampionatit Evropian të futbollit vazhdon të jetë shumë i madh. Këtë e dëshmojnë edhe kërkesat që janë bërë për biletat që u takojnë tifozëve të ekipeve pjesëmarrëse në Evropianin që verën e ardhshme mbahet në Gjermani.

UEFA ka njoftuar të hënën se ka pranuar kërkesa për plot 30 milionë bileta.

Tashmë janë caktuar grupet, vendet ku luhen ndeshjet dhe oraret e ndeshjeve. Deri më 12 dhjetor ishte i hapur aplikimi për tifozë të përfaqësueseve që do të garojnë në Gjermani. Dhe kërkesa ishte shumë e madhe për ngjarjen që mbahet prej 14 qershorit deri më 14 korrik të vitit të ardhshëm.

Çdo federatë që ka përfaqësuese në Evropian do të marrë nga 10 mijë bileta për secilën ndeshje që e luan. Disa prej federatave i kanë shitur biletat për grupet e tifozëve.

Biletat e mbetura do të ndahen si pjesë e shortit që do ta organizojë UEFA.

Sipas UEFA-s, në total janë kërkuar mbi 30 milionë tiketa nga 206 vende të ndryshme, gjatë periudhës prej 2 deri më 12 dhjetor.

“Pos tifozëve të Gjermanisë, më së shumti bileta kërkuan tifozë që përkrahin Turqinë, Hungarinë, Anglinë, Shqipërinë dhe Kroacinë”, ka njoftuar UEFA.

Deri në fund të janarit tifozët do të njoftohen nëse kanë siguruar biletë përmes lotarisë.

Ndeshjet e Shqipërisë në “Euro 2024” pritet të jenë shumë atraktive.

Më 15 qershor në Dortmund, Shqipëria luan me kampionen në fuqi të Evropës, Italinë. Më 19 qershor në Hamburg, kuqezinjtë përballen me Kroacinë. Ndërkohë, më 24 qershor, Shqipëria e Sylvinhos luan me Spanjën, një tjetër pretendente për titull të kampionit të Evropës.

Related Articles