Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se një shtatore për ish-presidentin, Ibrahim Rugova, është duke u punuar nga skulptori Gëzim Muriqi në studion e tij për t’u vendosur më pas në Pejë.
“Shtatorja e Presidentit Rugova, po bëhet gati për qytetin e bukur të Pejës. Sonte, në 34 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, së bashku me kryetarin e komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri, vizituam skulptorin e mirënjohur Gëzim Muriqi në studion e tij këtu në Prishtinë. Aty nga afër pamë punën e madhe artistike që po bënte Gëzimi në përfundimin e skulpturës së Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai foli edhe për punën e artistit Muriqi mbi këtë vepër.
“Na tregoi për përgjegjësinë që bart e ndien në këtë përfundim. Gëzimi, si mjeshtër që është, ishte i holluar në secilin detaj me kujdesin më të veçantë prej skulptori. Kjo është skulptura e tretë që mjeshtri Muriqi bën për Ibrahim Rugovën. Dy të tjerat janë vendosur tashmë në Malaj të Rugovës dhe në Istog”.
Në fund, Abdixhiku njoftoi se me bashkëpartiakun e tij, kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, po duan që ta vendosin shtatoren Ditën e Pavarësisë.
“Me Gazin ndërsa, po provojmë që kjo shtatore të vendoset në ditë të pavarësisë së Republikës”.