Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se asnjë revolucion nuk është duke u zhvilluar në Serbi dhe se shteti është mjaft i fortë për të mbrojtur demokracinë dhe shtetin dhe se “banditët do të arrestohen”.
Vuçiq deklaroi se përfaqësuesit dhe përkrahësit e koalicionit “Serbia kundër dhunës” po tentojnë të pushtojnë me dhunë Kuvendin derisa u tha qytetarëve të mos shqetësohen, sepse nuk po ndodh revolucion.
“Edhe pse skenat janë dramatike, sepse ne e duam vendin tonë, ne e duam qytetin tonë, nuk jemi mësuar që dikush të na thyejë xhamat, dikush të na prishë shtëpinë. Mos u shqetësoni, sepse nuk ka revolucion, asgjë nga këto nuk do të ndodhë”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se në këtë takim janë mbledhur 2.490 persona.
“Në këtë moment bashkë me ata që tentojnë të hyjnë në Kuvendin e Qytetit janë gjithsej rreth 1195 persona, njëkohësisht dua t’ju them se disa kanë treguar fytyrën, kanë treguar se dhuna është e vetmja mënyrë për të luftuar kundër kundërshtarëve të tyre politikë”, ka thënë ai.
Në Kuvendin e Serbisë janë thyer xhama dhe është hedhur gaz lotsjellës, derisa pjesëtarët e opozitës kanë tentuar të hyjnë brenda ndërtesës.