Të dielën në mesditë u dëgjuan të shtëna me armë në fshatin Gadish të Gjilanit, ku u plagos një 33-vjeçar pas një konflikti verbal me disa persona. Të dyshuarit janë anëtarë të një familje, që u kapën me viktimën, i cili është roje i pyllit. Hetimet për këtë rast tashmë kanë nisur, ndërkohë që Policia ka kryer edhe bastisje.
Sinjali ka mësuar detaje nga tentim vrasja, motivi i së cilës dyshohet të jetë një fotografi
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se incidenti ka ndodhur te varrezat e fshatit, ku fillimisht 33-vjeçari që u plagos, e kishte kapur në flagrancë një të mitur me armë në dorë, për çka kishte reaguar.
Veprimi i tij, për ta paralajmëruar të miturin që si pasojë e moshës së tij, nuk ka të drejtë për gjueti, prandaj duhej të largohej, e futi atë në sherr me familjen Ajvazi.
Posa familjarët e të miturit e kuptuan që roja i pyllit e kishte fotografuar fëmijën me armë në dorë, të njëjtit i shkuan 33-vjeçarit për t’i qëruar hesapet për atë që kishte ndodhur.
Pesë anëtarë të familjes Ajvazi dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht viktimën, e më pas njëri prej tyre ka eskaluar në përdorim të armës – duke e lënë të plagosur.
Denoncimi i rastit vuri në lëvizje Policinë, teksa viktima u dërgua në spital për të marrë trajtim mjekësor, si pasojë e plagëve që kishte pësuar.
Në anën tjetër, një njësi policore, ka kryer bastisje në shtëpinë e familjes Ajvazi, ku janë gjetur disa armë zjarri dhe dhjetëra fishekë, ndërsa edhe prova të tjera janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor, ku janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve, me ç’rast e kanë mohuar sulmin ndaj rojës së pyllit.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit në drejtim të veprave penale “Vrasje në tentativë”, “Pjesëmarrje në rrahje” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.