Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe mbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Delta Group’ në fshatin Brekoc në Gjakovë.
Sinjali mëson se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda dhe kanë arritur që t’i vjedhin mijëra euro, që ndodheshin në arkën e pompës.
Sipas informacioneve të para, shuma e parave që dyshohet se është vjedhur është 10 mijë euro – informacion ky që pritet të konfirmohet pasi ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore.
Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i pompës, që e denoncoi rastin, i cili ka dhënë deklaratën e tij për atë që ka ndodhur.
Lajmin është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë, me ç’rast është bërë e ditur se me vendim të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar “Vjedhje e rëndë”.