Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në adresimin e tij të fundvitit ka folur për marrëdhëniet e ngushta të vendit me aleatët ndërkombëtarë dhe procesin e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë.
Përmes një videomesazhi të publikuar në Facebook, Kurti ka thënë se Kosova ka bashkëpunim me aleatët në procesin e normalizimit me Serbinë me synim për të sjellë paqe e siguri dhe “për ta hequr barrën që do ta ngadalësojë rritjen e prosperitetin tonë”.
“Do të doja të siguroja qytetarët se çdo marrëveshje që do të nënshkruhet me Serbinë do të jetë në të mirë të vendit tonë dhe nuk do të kërcënojë sigurinë dhe integritetin territorial, kushtetutshmërinë e rendin ligjor të vendit tonë”, ka thënë Kurti.
“Kosova jonë është në prag të një të ardhme që është më afër asaj se çka meritojmë dhe për të cilën kemi punuar intenzivisht”.
Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e kishin arritur më 27 shkurt të këtij viti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ndërsa, më 18 mars ishin pajtuar në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Por, ato marrëveshje nuk u nënshkruan pasi një gjë e tillë u refuzua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Mes tjerash marrëveshja kërkon respektimin e integritetit territorial mes palëve ndërsa neni 4 i saj, i cili tash është problematik për Serbinë, parasheh që Serbia të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.