Nga 1 janari, automjetet me targa të Republikës së Kosovës (RKS), po mund të lëvizin lirshëm nëpër Serbi, bazuar në vendimin e Qeverisë së këtij vendi të miratuar në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.
Pas këtij vendimi, dhe verifikimit nga ana e Qeverisë së Kosovës se vendimi po zbatohet pa probleme, edhe kjo e fundit ka marrë vendim mbrëmë që automjetet me targa të Serbisë të mund të hyjnë lirshëm në Kosovë, pa pasur nevojë për stikera.
Por, çfarë ndodhë nëse një veturë me targa RKS aksidentohet në territorin e Serbisë?
Mënyra e raportimit të dëmit në rast aksidenti trafiku ku përfshihet automjeti me targa RKS parashikohet në një dokument që ka hyrë në fuqi që nga mesi i vitit 2015.
Në Shoqatën e Sigurimeve të Serbisë deklarojnë për portalin serb N1 se “ekziston që nga gushti i vitit 2015, Memorandumi i Mirëkuptimit i nënshkruar nën kujdesin e Marrëveshjes së Brukselit, ndërmjet Shoqatës së Sigurimeve të Serbisë dhe të Byrosë Kosovare të Sigurimeve”.
Me atë dokument, palët nënshkruese morën përsipër të garantojnë kompensimin e dëmit të shkaktuar nga i siguruari me targa të lëshuara në juridiksionin e tyre nën juridiksionin e palës tjetër nënshkruese.
“Në kuptimin praktik, nëse një shtetas i Republikës së Serbisë ose një shtetas i një shteti tjetër që viziton Serbinë ka pësuar dëmtim nga një automjet me targa të lëshuara nga Kosova, ai mund ta raportojë atë në Shoqatën e Sigurimeve, të cilët pas plotësimit të dokumentacionit do të paguajnë dëmin”, sqarojnë ata për portalin N1.
Shoqata shton se, nëse kompania e sigurimeve që ka siguruar veturën ka shkaktuar dëmin ka një korrespondent në formën e një kompanie sigurimi që është anëtare e Shoqatës së Siguruesve të Serbisë – “rasti do t’i përcillet të njëjtit për përpunim dhe i dëmtuari do të kompensohet nga ajo shoqëri”.
Më 23 qershor, 2015, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel dy vendet arritën një Memorandum Mirëkuptimi për Njohjen e Ndërsjelltë të Policave të Sigurimit të Automjeteve, nën lehtësimin dhe garantimin e Bashkimit Evropian dhe të Këshillit Evropian të Byrove.
Kjo marrëveshje u nënshkrua në prani të asokohe përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Isa Mustafa, dhe kryeministrit të atëhershëm të Serbisë, tash presidentit Aleksandar Vuçiq.
Kjo marrëveshje u iniciua me këmbëngulje të palës kosovare dhe ishte pjesë e diskutimeve të vazhdueshme që nga fillimi i vitit 2013.
Përmes kësaj, automjetet e regjistruara në Kosovë ishin në gjendje të kalonin në territorin e Serbisë me sigurim MTPL, ndërsa automjetet e regjistruara në Serbi ishin në gjendje të kalonin përmes Kartonit të Gjelbër.
Në këtë mënyrë, palët patën hequr një pengesë të padrejtë drejt lirisë së lëvizjes së qytetarëve të Kosovës.
Kjo marrëveshje gjithashtu mundësonte krijimin e bashkëpunimit të ndërsjelltë ndërmjet Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe Shoqatës së Siguruesve të Serbisë.
Marrëveshja e nënshkruar ishte sidomos në interes të qytetarëve të Kosovës, meqë mundësonte uljen e kostos së kalimit kufitar me automjete.